FondiBESA >> Rreth Nesh >> Mesazhi nga Drejtori Ekzekutiv

Mesazhi nga Drejtori Ekzekutiv

Prof. Asoc. Dr. Bajram Muçajtl_files/pic/director.JPG

Të dashur Aksionarë, Klientë dhe Partnerë,

 

Rezultatet financiare të vitit 2016 na sigurojnë një bazë të shkëlqyer për të vazhduar me sukses në rrugën e zgjedhur. Fitimi neto i Fondit BESA për vitin 2016 ishte 402,6 milion lekë me një rritje prej 40% krahasuar me vitin 2015.

 

Viti 2016 u karakterizua nga zhvillime ekonomike pozitive dhe nga përmirësime në disa nga balancat kryesore makroekonomike. Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), ekonomia shqiptare u rrit me 3.5% gjatë vitit 2016, në përshpejtim krahasuar me normën 2.6% të rritjes së shënuar në vitin 2015. Rritja ekonomike krijon sfida të reja për  sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm, të cilët janë edhe fokusi i mbështetjes sonë financiare, por njëkohësisht ofron mundësi të reja për t’i shërbyer më mirë atyre. Së bashku me institucionin, ne synojmë t’i fuqizojmë klientët për të qëndruar një hap përpara në jetë dhe në biznes.

 

Fondi BESA vazhdoi të ishte zgjedhja e parë për 19,275 klientë që përfituan kredi gjatë vitit 2016, me një vlerë totale prej 6.1 miliardë lekë ose 10.6% më shumë se vitin e kaluar. Gjatë vitit 2016, rritja e përgjithshme e portofolit të kredisë ishte 10.7%.

 

Me një aktivitet prej 29,895 klientësh dhe portofol kredie prej 7.0 miliardë lekësh gjatë vitit 2016, qëllimi ynë ishte tërheqja e klientëve të rinj, çka rezulton në nivelin 49.90% nga të gjithë disbursimet e vitit, duke ruajtur dhe përmirësuar në vazhdimësi marrëdhëniet me klientët ekzistues. Niveli i ruajtjes së klientelës aktive rezulton 67%. Këta janë tregues të përpjekjeve për të siguruar vazhdimësinë e aktivitetit dhe për të garantuar një rritje të qëndrueshme në vitet e ardhshme. Do doja të theksoja faktin që cilësia e kredive në Fondin BESA vazhdon të mbetet në nivele të ulta, 3.03% në fund të Dhjetorit 2016.

 

Gjatë vitit 2016, ne jemi fokusuar në tre prioritete: shërbim i shkëlqyer ndaj klientelës, përmirësim i rezultateve financiare dhe pozicionim sa më i mirë në treg. Si një institucion financiar jo bankë, i orientuar drejt klientit, është misioni ynë që të japim një kontribut të konsiderueshëm për mbështetjen e tyre. Strategjia jonë për përqendrim tek nevojat e klientit ka nxitur institucionin të hartojë produkte financiare të përshtatura për nevojat e tyre. Duke u bazuar gjithmonë në parimin e shërbimit cilësor të klientelës, synimi ynë në të ardhmen vazhdon të mbetet që të bëhemi faktor i përforcuar në tregun e mikrofinancës në Shqipëri dhe një institucion kyç për klientët aktualë dhe ata potencialë.

 

Duke pasur një vizion të qartë për të ardhmen, Fondi BESA vazhdon t’i përgjigjet zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, si rritjes së konkurrencës, ndryshimit të sjelljes së konsumatorit, zhvillimeve teknologjike etj. Fondi BESA po forcon gjithnjë e më shumë pozitën e tij si institucioni që është më afër klientit, duke synuar të jetë i suksesshëm dhe afatgjatë në mbështetje të klientëve, punonjësve dhe shoqërisë në tërësi.

Gjatë vitit 2016 Fondi BESA e zgjeroi aktivitetin e tij me një Degë Rajonale dhe me tre zyra satelite, me qëllim rritjen e efektivitetit të institucionit, duke zgjeruar prezencën e tij në tregun e synuar. Me një staf prej 464 punonjësish, Fondi BESA synon të jetë një punëdhënës i përgjegjshëm që i siguron punonjësve kushte të mira pune dhe mundësi për rritje. Prandaj, ne përpiqemi të krijojmë një kulturë bashkëpunuese, të hapur, novatore dhe energjike që tërheq dhe motivon punonjësit. Ne ofrojmë trajnime dhe mundësi për stafin që të zhvillohet në mënyrë profesionale. Këtë e shohim si pjesë të përgjegjësisë sonë si punëdhënës. Krahasuar me një vit më parë, viti 2016 shënoi një rritje stafi prej 53 punonjës apo e shprehur në përqindje prej 11%.

 

Rezultatet financiare të arritura në vitin 2016 formojnë një bazë solide për përmirësimin e mëtejshëm të performancës sonë. Kjo është e vetmja mënyrë që të arrijmë objektivat tona. Në vazhdimësi, në themel të punës dhe përpjekjeve për realizimin e objektivave dhe përmbushjes së misionit, Fondi BESA do të ruajë parimet e transparencës, integritetit dhe korrektësisë.

 

Si Drejtor Ekzekutiv i Fondit BESA, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen përpjekjeve, angazhimit dhe performancës së gjithë stafit që kanë bërë të mundur suksesin edhe gjatë vitit 2016. Së bashku, ne do të bëjmë një institucion më të fortë e të suksesshëm - një institucion, i cili do të krijojë vlerë për klientët, stafin, aksionarët dhe për të gjithë shoqërinë.

 

 

Miqësisht

 

Prof. Asoc. Dr. Bajram MUÇAJ

Drejtor Ekzekutiv

 

Buletini

Register and receive all the updates from fondi BESA