fbpx

Prof. Asoc. Dr. Bajram Muçaj

 
Të dashur Aksionarë, Klientë dhe Partnerë,

Viti 2019 për Fondin BESA shënon një vit sa të suksesshëm, aq edhe të vështirë dhe me sfida. Por, në mbyllje të këtij viti jam i kënaqur të ndaj me ju suksesin tonë në arritjen e objektivave, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Fondit BESA, kontributin në mbështetjen e biznesit, përmirësimin e nivelit ekonomik të klientëve, në veçanti, impaktin që ka pasur aktiviteti ynë në zhvillimin ekonomik në tërësi.

Suksesi ynë i atribuohet ekipit menaxhues, i mbështetur nga gjithë punonjësit e Fondit BESA dhe nga Këshilli Mbikqyrës, dhe tashmë është në një pozitë shumë më të fortë për të përballuar sfidat e ardhshme. Unë do të doja të filloja duke falenderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë sukses për punën e tyre të vështirë, përkushtimin, profesionalizmin e lartë duke besuar në një të ardhme më të sigurtë. Ambiciet dhe objektivat që synojmë do të na lejojnë të ndërtojmë një institucion më të fortë, më të mirë dhe më të vlefshëm për klientët, punonjësit dhe aksionarët tanë. Ne do të vazhdojmë t’i qëndrojmë besnikë parimit tonë kryesor që të mbështesim klientët në zhvillimin e aktiviteteve, për t’i dhënë jetë ideve dhe aspiratave të tyre. Fondi Besa është gjithnjë pranë progresit, e nxit atë dhe çdo vit bën më të mirën për të qenë inovativ.

Fondi BESA është një nga institucionet mikrofinanciare më të rëndësishëm në vend.

Historia e tij 25 vjeçare ka treguar se institucioni ynë është një histori suksesi dhe ka potencial të rëndësishëm për zhvillim të mëtejshëm, në përmbushje të misionit të tij.
Gjatë vitit 2019, Fondi BESA bëri një progres të dukshëm në realizimin e objektivave të tij strategjikë në lidhje me rritjen e aktivitetit; rritjen e kapitalit; mbajtjen nën kontroll të riskut dhe forcimin e pozicionimit në treg si një partner i besueshëm dhe profesional për klientët dhe gjenerimin e fitimeve për aksionarët në një periudhë afatgjatë. Kjo dëshmon edhe një herë se kemi ndërtuar themele shumë solide si bazë për rritje të sigurtë edhe në të ardhmen.

2019 ishte një vit shumë i rëndësishëm për Fondin BESA, i cili operoi në një sfond ekonomik që u ndikua negativisht nga tërmeti i muajit nëntor që shkaktoi dëme dhe humbje të konsiderueshme ekonomike, çka çoi në rritje ekonomike në nivelin 2.2%, në rënie kundrejt nivelit 4.1% të shënuar në vitin paraardhës dhe humbje ekonomike të vlerësuara në 7.5% të PBB-së.
Në fund të vitit 2019, Fondi Besa rezulton me 82 zyra, duke siguruar mbulim të gjerë dhe të qëndrueshëm, ndërsa numri i punonjësve është rritur duke arritur në 576, krahasuar me 549 në vitin 2018. Rreth 32,000 klientë aktivë, mbi 18,800 kredi të dhëna gjatë vitit 2019 dhe rritja e konsiderueshme e portofolit të kredisë me 16%, duke arritur në 13.2 miliardë lekë, janë tregues të qartë të përpjekjeve për t’i shërbyer një numri gjithnjë e më të madh klientësh, duke plotësuar nevojat e segmentit tonë të tregut për financim.

Me rreth 227 mijë kredi të dhëna gjithsej në shumën 680 milion Euro, Fondi Besa radhitet ndër institucionet që ka kontribuar në zhvillimin e biznesit mikro, të vogël dhe të mesëm, krijimin e vendeve të punës si dhe përmirësimin e nivelit ekonomik, si rrjedhojë edhe atij arsimor dhe shëndetësor të mijëra familjeve si në zonat urbane ashtu edhe rurale në vend.

Totali i aseteve të Fondit Besa në fund të vitit 2019, rezulton në 18.2 miliardë lekë, duke u rritur me 4.7 miliardë lekë ose 34.6% në krahasim me vitin 2018. Totali i kapitalit rezulton 3,3 miliardë lekë, me një rritje prej 345 milion lekë ose 11.5% krahasuar me vitin 2018.
Portofoli i kredive u rrit në 13.2 miliardë lekë, një rritje prej 15.6% ose rritje e vëllimit prej 1.8 miliardë lekë në krahasim me vitin 2018. Për sa i përket treguesve të profitabilitetit, në fund
të vitit 2019, Fondi Besa krijoi një Kthim në Asete prej 3%, ndërsa Kthimi në Kapital ishte 16%. Raporti i Mjaftueshmërisë së kapitalit të Fondit Besa në fund të vitit ishte 33.28%.
Gjatë vitit 2019, Fondi BESA vazhdon të jetë pronar 100% i aksioneve të Institucionit Mikrofinanciar “Social and Agro Fund”.

Në vitin 2019 Një zhvillim i veçantë ishte blerja dhe kalimi i zyrës qendrore në objektin e ri modern që gjendet në Laprakë, me një hapësirë ku gjenden zyra të një cilësie të lartë.

Ne synojmë të arrijmë objektivat tona duke qenë Eficentë, duke minimizuar Riskun, duke qenë të Mirëkapitalizuar dhe Transparentë. Strategjia e Fondit BESA është të bëhet një institucion më i fortë dhe më i sigurtë që është i pozicionuar mirë për të mbështetur tregun e synuar duke ofruar produkte dhe shërbime cilësore. Ne synojmë të përqendrojmë burimet tona në ato segmente të tregut dhe sektorë ku ekziston kërkesa. Strategjia jonë për përkrahjen e sektorit të biznesit mikro, të vogël dhe të mesëm do të synojë një rritje prej 6.34% të klientelës aktive, dhe 7.64% të portofolit. Një nga prioritetet tona kryesore për vitin e ardhshëm do të vazhdojë të jetë rritja e kënaqësisë së klientëve, pasi qëllimi ynë është të ofrojmë produkte dhe shërbime të përshtatura me nevojat e tyre, transparente, të përgjegjshme, me kosto efektive, që i tejkalojnë pritshmëritë e klientëve tanë.
Kur planifikojmë të ardhmen, ne udhëhiqemi nga parimi që të jemi një institucion, i cili bashkon vlerat më të mira të një fuqie punëtore të angazhuar dhe të përkushtuar dhe që inkurajon nivel të lartë të performancës. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të rrisim kapacitetin e stafit nëpërmjet një programi trajnimi të avancuar për punonjësit ekzistues dhe ata që do të punësohen në të ardhmen. Vetëm gjatë vitit 2019 janë zhvilluar 80 seanca trajnimi në 94 ditë dhe janë trajnuar 1,104 punonjës, çka nënkupton se një punonjës ka marrë më shumë se një trajnim.

Ne besojmë se viti 2020, do të vazhdojë të jetë një vit i suksesshëm gjatë të cilit Fondi Besa do të ndërtojë punën mbi progresin e arritur këtë vit, i vetëdijshëm për vështirësitë dhe efektet e pashmangshëm të pasojave të tërmetit dhe të pandemisë COVID 19 në ekonominë e vendit dhe në punën tonë. Prioritetet tona janë të qarta dhe të mirëpërcaktuara. Forca jonë qëndron në asetin më të çmuar që është stafi ynë, por edhe në partnerët tanë të cilët na kanë mbështetur financiarisht në fuksion të përballimit të sfidave.

Miqësisht,

Prof. Asoc. Dr. Bajram MUÇAJ
Drejtor Ekzekutiv