Çfarë është informacioni parakontraktor për kreditë konsumatore?
Pasi keni diskutuar me oficerin e kredisë të gjitha kushtet dhe termat e kredisë konsumatore dhe keni rënë dakort mbi këto kushte dhe terma, oficeri i kredisë duhet t’ju japi të gjithë këtë informacion në formë të shkruar, bazuar në rregulloren e Bankës së Shqipërisë.
Ky informacion përfshihet në Fletën e Standartizuar të Informacionit Parakontraktor. Këtë dokument ju duhet ta merrni nga banka të ndryshme dhe mund të krahasoni kushtet dhe termat e kredive konsumatore në mënyrë që të zgjidhni termat dhe kushtet më të mira për ju.
Është e rëndësishme që të lexoni me kujdes çdo element që përmban ky informacion dhe të pyesni oficerin e kredisë për çdo paqartësi. Ky informacion do të nënshkruhet nga ju nëse merrni kredi për të vërtetuar që keni marrë informacionin e nevojshëmdhe do të jetë pjesë e dosjes tuaj të kredisë.