Çfarë monedhe duhet të zgjidhni në marrjen e kredisë?
Kredia mund të merret në monedhë vendase apo në monedhë të huaj. Një nga faktorët kryesorë që ndikon në vendimmarrjen për llojin e monedhës është se në cilën monedhë gjenerohen të ardhurat.
Të marrësh kredinë në Lek është avantazh sepse duke planifikuar këstet mujore, nuk do të keni surpriza përgjatë periudhës së shlyerjes së kredisë. Pra do të evitoni risqet që vijnë nga luhatjet e kursit të këmbimit. Në këtë mënyrë do të mund të menaxhoni lehtësisht portofolin personal si dhe minimizoni rreziqet që do të ndikonin shpenzimet tuaja ditore ose mujore.
Kreditë në monedhë të huaj paraqesin rreziqe shtesë si për huamarrësin dhe për huadhënësin. Për huamarrësin, huamarrja në valutë pa informacionin e duhur përbën përfundimisht një nga format e spekulimit valutor, e cila ekspozon huamarrësin përballë këtij rreziku. Kreditë në valutë të huaj janë preferencë e spekulatorëve të vetëdijshëm ndaj ekzistencës së rrezikut.
Luhatjet e këmbimit valutor janë të paparashikueshme dhe ndërkohë ju thjesht tentoni të parashikoni nëse valuta do të forcohet ose dobësohet kundrejt Lekut. Kreditë në valutë kërkojnë një përkujdesje të veçantë. Në rastin kur të ardhurat gjenerohen në monedhë të huaj, mund të jetë e arsyeshme marrja e një kredi në valutë. Por ne do të rekomandonim marrjen e një kredie në lek, në qoftë se të ardhurat tuaja janë në Lek.
Në rastet kur monedha e kredisë është e ndryshme nga ajo e monedhës në të cilën gjenerohen të ardhurat, oficeri i kredisë duhet t’ju njoftojë mbi risqet që ekzistojnë për shkak të luhatjeve të kursit të këmbimit. Gjithashtu duhet edhe t’ju bëjë një shembull se si ndryshon shuma e këstit të kredisë si pasojë e ndryshimit të kursit të këmbimit.