fbpx

Si të veprojmë në rast të pamundësisë të shlyerjes së kredisë?


Kur mendoni të merrni një kredi, duhet domosdoshmërish të mendoni edhe skenarë kur mund të keni vështirësi financiare për ta shlyer dhe të parashikoni se cilat do të jenë masat që do të merrni dhe si do të jeni në gjendje të shlyeni kredinë në raste të tilla. Asnjë prej jush nuk do të donte të kalonte në procedura ligjore për shlyerjen e kredisë apo të rrezikonte shtëpinë apo çdo pasuri të lenë si garanci për kredinë.

Gjatë periudhës së shlyerjes së kredisë ju mund të përballeni me situata të vështira, si: pushim nga puna, sëmundje dhe ndërprerje të punës, vonesa në përfitimin e pagës nga punëdhënësi, probleme në biznes, etj. të cilat mund të bëhen pengesë në përmbushjen e detyrimeve ndaj huadhënësit.

Në raste të tilla asnjëherë mos u mundoni të fshihni situatën tuaj të vështirë. Në vend të heshtjes, zgjidhni të komunikoni menjëherë me oficerin e kredisë dhe t’i shpjegoni situatën, si keni menduar dhe çfarë do t’ju duhej për të dalë nga kjo situatë. Huadhënësi asnjëherë nuk është i interesuar ta vështirësojë akoma më shumë situatën e huamarrësit sepse kjo do të thotë një mundësi më pak për të marrë kredinë e dhënë.

Mund të jetë rasti kur  huadhënësi të konsiderojë një ristrukturim. Sigurisht, një bankë apo një institucion tjetër financiar është në treg për të realizuar fitim dhe kjo do të thotë që synimi i tyre kryesor është të kenë klientë të qëndrueshëm. Ato nuk janë institucione bamirësie që t’ju falin detyrimin, por mund të tregojnë mirëkuptim dhe t’ju ndihmojnë me ristrukturimin e kredisë dhe të mos fillojnë menjëherë veprimet ligjore për të shlyer kredinë.

Në të njëjtën kohë, kjo do t’ju japë mundësi të vazhdoni aktivitetin, të mos keni rekorde negative në regjistrin e kredisë, të mos ju sekuestrohet kolaterali si dhe të keni mundësi të shlyeni kredinë e marrë, qoftë edhe më një çmim akoma më të lartë.