fbpx

BERZH i disburson Fondit BESA transhin e parë të huasë për nxitjen e efiçencës në energji


Më datë 18 dhjetor 2018, Fondi BESA, institucioni më i madh mikrofinanciar në vend, merr transhin e parë prej 1.5 milion Euro të huasë totale prej 3 milion Euro akorduar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për programin GEFF. Kjo kredi do të lëvrohet në kuadër të Programit prej 85 milion Euro për Ballkanin Perëndimor për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër dhe do të përdoret për financimin e investimeve në projekte me performancë të lartë efiçence në energji në banesa private.  Klientët do të kenë mundësi të investojnë në izolim, panele diellore, bolierë efiçentë dhe teknologji të tjera të gjelbra.

Fondi Besa, si një institucion mikrofinanciar, ruan një balancë midis objektivave të tij financiare dhe sociale. Në këtë kuadër, Fondi Besa jep kontributin e tij në ruatjen e energjisë dhe nxitjen e përdorimit të formave alternative të saj. 

Ne jemi të ndërgjegjshëm se energjia luan rol të rëndësishëm e të pazëvendësueshëm në jetën e modernizuar të njeriut. Por, edhe ndikimet e saj në mjedis janë mjaft të theksuara. Cilado qoftë mënyra e prodhimit të energjisë, ka ndikim të ndjeshëm në mjedis, për shkak të operacioneve që e përcjellin që nga sigurimi i lëndës së parë dhe transportit të saj e deri te procesi i prodhimit dhe vetë shfrytëzimi i energjisë. Ndikim të drejtpërdrejtë kanë gjithashtu emisionet e përgjithshme nga vargu energjetik duke përfshirë ndotjen e ujit, ajrit, tokës, menaxhimin e mbetjeve, zhurma dhe radioaktiviteti.

Investimet në teknologjinë e gjelbër pritet të çojnë në kursim vjetor energjie prej më shumë se 68,000 Mwh dhe reduktimin e emetimeve vjetore të gazrave me më shumë se 21,250 ton CO2.

Programi është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian (BE), donatorëve dypalësh dhe vendet përfituese të cilat bashkëpunojnë nën Kuadrin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe implementohet në partneritet me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë. Ministria Federale Austriake e Financave do të mundësojë incentivë dhe bashkëpunim  teknik në mbështetje të investimeve për teknologjinë e gjelbër.

Programi i GEFF mundëson financim për përmirësimin e efiçencës energjetike në banesa nëpërmjet një rrjeti prej më shumë se 130 institucionesh financiare lokale në 26 vende, të mbështetura me rreth €4.2 miliardë fonde nga BERZH.  Kjo u ka mundësuar më shumë se 120,000 klientëve të kursejnë emetimin e rreth 8 milion ton CO2 në vit.

BERZH ka investuar 1.2 miliardë Euro në 84 projekte në Shqipëri, ku fokusohet në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat, duke rritur komercializimin e projekteve të infrastrukturës dhe duke promovuar energji të qëndrueshme dhe investime të shëndetshme mjedisore.

Fondi BESA është institucion financiar jo bankë, i cili ofron kredi për biznesin e vogël dhe të mesëm. Aktualisht ka më shumë se 32,200 klientë dhe një portofol kredie rreth 87 milion  EURO. Fondi Besa ka bashkëpunuar me BERZH që në vitin 2010.

Mësoni më shumë për projektin GEFF në këtë adresë: https://ebrdgeff.com/albania/al/.

 

 http://fondibesa.com/sq/berzh-i-disburson-fondit-besa-transhin-e-pare-te-huase-per-nxitjen-e-eficences-ne-energji/