fbpx

FONDI BESA dhe FONDI EVROPIAN INVESTIMEVE


Rrisin aksesin në kredi për sipërmarrjet e vogla dhe mikro në Shqipëri

FONDI EVROPIAN INVESTIMEVE i akordon FONDIT BESA një kredi prej 10 milionë Euro për të rritur aksesin në financa për ndërmarrjet mikro dhe të vogla në kuadër të programit “Punësim dhe Inovacionin Social” (EaSI)

Kjo kredi do të fokusohet në financimin e mikrondërmarrjeve, si në fazën fillestare të krijimit (start-up) ashtu edhe në atë të zhvillimit, duke përfshirë edhe mikrondërmarrjet që punësojnë persona që kanë humbur ose janë në rrezik të humbasin punën, që kanë vështirësi për të hyrë ose rihyrë në tregun e punës, të cilët rrezikojnë përjashtimin social ose janë të përjashtuar nga shoqëria dhe janë në një pozitë të pafavorshme përsa i përket aksesit në tregun tradicional të kredisë.

Kjo kredi është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të BE-së për Punësimin dhe Inovacionin Social (EaSI), Banka Evropiane e Investimeve dhe Fondi Evropian i Investimeve. Besojmë se kjo nismë do të ketë një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e sipërmarrjeve mikro dhe të vogla në Shqipëri, si dhe në krijimin e bizneseve dhe vendeve të reja të punës. Fondet do të jenë në dispozicion të mikrondërmarrjeve aktive në Shqipëri, të cilat do të mund të marrin kredi deri në 25,000 €.

Kjo Marrëveshje vjen pas bashkëpunimit të parë shumë të frytshëm mes dy institucioneve, i cili konsistoi në nënshkrimin e Marrëveshjes së Parë të Garancisë në Shqipëri, me synim mbështetjen e mikro-ndërmarrjeve. Garancia konsistoi në mbulimin e një portofoli prej 3 miliardë lekësh (22 milionë euro). Nga kjo marrëveshje përfituan më shumë se 5,000 huamarrës të vegjël, me mundësi të kufizuara për të marrë kredi nga sistemi bankar.

Bashkëpunimi aktual konfirmon edhe një herë përkushtimin e të dy institucioneve për të forcuar ekonomitë lokale, për të nxitur punësimin dhe vetëpunësimin dhe për të mbështetur njerëzit më vulnerabël në tregun e punës.

Prof. Asoc. Dr. Bajram Muçaj, Drejtor Ekzekutiv i Fondit BESA sh.a, në kuadër të kësaj marrëveshjeje theksoi: “Jemi shumë të kënaqur dhe vlerësojmë shumë bashkëpunimin me Fondin Evropian të Investimeve, pasi kontributi në forcimin e sipërmarrjeve mikro dhe të vogla mbetet prioriteti kryesor në përmbushjen e misionit tonë. Kjo marrëveshje e re na ofron një mundësi të shkëlqyer për të zgjeruar më tej gamën e opsioneve të financimit që u ofrojmë sipërmarrësve të rinj ose atyre që kërkojnë të zgjerojnë apo përmirësojnë biznesin e tyre ekzistues. Ne besojmë se mbështetja e Fondit Evropian të Investimeve do të jetë një vlerë e shtuar për aktivitetin tonë, ndërkohë që do të ndikojë pozitivisht në jetën social-ekonomike të klientëve dhe të vendit në tërësi. Mbështetja e vazhdueshme e Fondit Evropian të Investimeve është një tregues i qartë i besimit dhe bashkëpunimit të çmuar. Ne besojmë se partneriteti i rinovuar dhe bashkëpunimi ynë me Fondin Evropian të Investimeve është një hap më tej në marrëdhëniet tona, një nismë që shtrihet drejt një bashkëpunimi më të ngushtë afatgjatë në të ardhmen.”

Mikrondërmarrjet ekzistuese ose ata persona që kanë një ide për të hapur një mikrondërmarrje të re dhe dëshirojnë të aplikojnë për kredi, mund ta bëjnë këtë direkt përmes degëve të Fondit BESA, të cilat ndodhen pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë.

Rreth Fondit Evropian të Investimeve:

Fondi Evropian i Investimeve (EIF) është pjesë e Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve. Misioni i tij qendror është të mbështesë bizneset mikro, të vogla dhe të mesme të Evropës duke i ndihmuar ata të kenë akses në financa. EIF harton dhe zhvillon kapitalin për rritjen e sipërmarrjeve, garancitë dhe instrumentet mikrofinanciare që synojnë në mënyrë specifike këtë segment të tregut. Në këtë rol, EIF nxit objektivat e BE-së në mbështetje të inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit, sipërmarrjes, rritjes dhe punësimit.

Për më shumë informacion rreth EIF, ju lutemi vizitoni:

https://www.eif.org

http://www.eif.org/what_we_do/microfinance/easi/)

Rreth Programit të Bashkimit Evropian për Punësimin dhe Inovacionin Social (EaSI)

Sipas Programit të BE-së për Punësimin dhe Inovacionin Social (EaSI), Bashkimi Evropian mbështet mikrofinancat dhe financat e ndërmarrjeve sociale me një fond të përgjithshëm prej 193 milionë euro për periudhën 2014-2020. Programi synon të rrisë aksesin në financa për mikro-ndërmarrjet, duke përfshirë të vetëpunësuarit dhe personat vulnerabël, dhe ndërmarrjet sociale, duke nxitur kështu krijimin e vendeve të punës dhe përfshirjen sociale.

Instrumenti i financuar nga EaSI është një fond prej 200 milionë euro i lançuar në Tetor 2019 që ofron kredi për ndërmjetësuesit financiarë për të mbështetur kreditimin për mikro-ndërmarrjet dhe ndërmarrjet sociale. Është një nga disa instrumente financiare të BE-së të vendosura në kuadër të Programit EaSI për të mbështetur mikrofinancën dhe sipërmarrjen sociale. Instrumenti i financuar nga EaSI është një partneritet midis Bashkimit Evropian, Bankës Evropiane të Investimeve dhe Fondit Evropian të Investimeve.

Për më shumë informacion mbi programin, ju lutemi vizitoni linqet e mëposhtëm:

http://ec.europa.eu/social/easi

http://ec.europa.eu/social/microfinance

http://ec.europa.eu/social/socialentrepreneurship

Rreth Fondit BESA

I themeluar në vitin 1994, Fondi Besa sh.a. është një institucion mikrofinanciar jobankar lider në Shqipëri. Misioni i Fondit BESA është të ndihmojë rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë në zonat urbane, gjysmë urbane dhe rurale të Shqipërisë duke promovuar sektorin e sipërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, nëpërmjet krijimit të një fondi privat mikrofinanciar në Shqipëri, i cili është i vetëqëndrueshëm. Klientët e Fondi BESA vijnë nga të gjitha shtresat socio-ekonomike, përfshirë të papunët si dhe bizneset fillestare. Fondi Besa ofron një gamë të gjerë produktesh kredie, duke përfshirë edhe kredinë konsumatore. Fondi Besa synon të ofrojë produkte dhe shërbime financiare që plotësojnë dhe tejkalojnë pritshmëritë e klientëve të tij, duke kërkuar të jetë zgjedhja e tyre e parë në segmentin e SME-ve në Shqipëri dhe më e besueshme për tregun e saj.

Për më shumë informacion rreth Fondit BESA, ju lutemi vizitoni www.fondibesa.com

  • NJOFTIM PUNËSIMI Fondi BESA sh.a Institucion per Kreditimin e Bizneseve, shpall konkurrimin per vend te lire pune ne pozicionin ARKETARE per qytetin e Tiranes. Kerkesat kryesore per kandidatet per kete pozicion jane: o Te kene diplome te shkolles se larte, preferohet Fakulteti ...
  • NJOFTIM PUNËSIMI Fondi BESA sh.a Institucion Financiar Jobankar, shpall konkurrimin për vend të lirë pune në pozicionin ASISTENTE OPERATORE për Qytetin e Elbasanit. Kërkesat kryesore për kandidatët për këtë pozicion janë: o Diplomë Universitare në Fakultetin Ekonomiko Të ketë të paktën 1 ...
  • NJOFTIM PUNËSIMI Fondi BESA sh.a Institucion Financiar Jobankar, shpall konkurrimin për vënd te lirë pune në pozicionin Specialist për Rrjetet Sociale, pranë Departamentit të Marketingut dhe Zhvillimit, në Zyrën Qendrore: Kërkesat kryesore për kandidatet për këtë pozicion janë: Detyrat kryesore për të ...