Fondi Besa merr pjesë në takimin e tretë në kuadër të nismës së “Programit të Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar” (AASF)
24 Maj 2019 – U zhvillua në qytetin e Beratit takimi i tretë në kuadër të nismës së “Programit të Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar” (AASF) për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve Financiare dhe Agrobizneseve në Shqipëri.
Të pranishëm në këtë takim ishin znj. Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë, znj. Ermira Gjeçi, zv. Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Matteo Colangeli, Drejtori i BERZH për Shqipërinë, përfaqësues nga projekti AASF, përfaqësues të Institucioneve Financiare Partnere (Raiffeisen Bank, Otp, ProCredit Bank, Intesa SanPaolo Bank dhe Fondi Besa), institucionet shtetërore lokale si dhe rreth 50 bizneseve të zonës së Beratit, të specializuara në prodhimin e verës dhe vajit të ullirit dhe agrobiznese në përgjithësi.
Në fjalën e hapjes, të hapjes zj. Adela Leka, zëvendës drejtuese e Projektit AASF, përmendi rëndësinë e bujqësisë si një sektor vital për ekonominë e vendit, me një potencial ende të pashfrytëzuar mjaftueshëm dhe mundësitë që ky Program ofron për Institucionet Financiare dhe agrobizneset.
Ministrja Denaj e përforcoi këtë mesazh, duke ndarë me të pranishmin faktin se sektori i bujqësisë në Shqipëri gjeneron rreth 20% të PBB-së dhe është burimi kryesor i punësimit në zonat rurale, duke llogaritur rreth 40% të popullsisë të punësuar në këtë sektor.
Në fjalën e saj, Denaj theksoi gjithashtu prioritetet që ka Qeveria e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në funksion të mbështetjes së sektorit të bujqësisë përmes asistencës teknike dhe granteve. “Sot në fakt, është një moment kur ne duhet të bashkëveprojmë më shumë me njëri-tjetrin për të nxitur këtë sektor, ne si Qeveri nga një anë, Institucionet Financiare dhe vetë fermeri përmes formalizimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të tij – pasi programet dhe partnerët tanë janë të gatshëm për të na asistuar në çdo moment,” – përfundoi ministrja.
Në këtë takim mori pjesë edhe përfaqësuesi i Fondit Besa z. Altin Muça dhe Drejtori i Degës Berat Z. Julian Sefa si dhe disa nga oficerët e kredisë së kësaj dege. Z. Altin Muça ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e Fondit Besa përsa i përket kredisë në sektorin e bujqësisë dhe bashkëpunimit shumë frytdhënës dh efektiv me AASF.
Pas fjalimeve, fermerët dhe agrobizneset e zonës së Beratit u prezantuan me iniciativat e projektit dhe patën mundësinë të angazhohen në biseda konstruktive me përfaqësues të Institucioneve Financiare Partnere. AASF siguron qasje në financa për sektorin e agrobiznesit në dy mënyra: linjë kredie dhe / ose shpërndarjen e riskut të portofolit për institucionet mikrofinanciare (IMF) dhe bankat. Institucionet përfitojnë nga një mbulim i parë i rrezikut të humbjeve që u vihet në dispozicion nga Qeveria Shqiptare.
Takimi i radhës midis agrobizneseve dhe institucioneve financiare do të zhvillohet në datën 29 maj në Shkodër, me pjesëmarrjen e fermerëve dhe bizneseve të kulturave pyjore, si arrat e gështenjat dhe bimëve medicinale.