Fondi Besa sh.a pjesëmarrës në Programin Italo-Shqiptar për Zhvillimin e SME-ve në Shqipëri
Më datë 12 Tetor 2018, në qytetin e Korçës u zhvillua aktiviteti me temë “Programi Italo-Shqiptar për Zhvillimin e SME-ve në Shqipëri për t`ju përgjigjur një faze të re zhvillimi të Sipërmarrjes, Rritjes dhe Konkurueshmërisë”.
Ky event u organizua nën kujdesin e veçantë të Programit Italo–Shqiptar për Zhvillimin e SME-ve në Shqipëri në bashkëpunim të ngushtë me Fondacionin “Agjensia Rajonale e Zhvillimit” (S.M.E.) Korçë.
Objektivi i këtij aktiviteti ishte informimi mbi aksesin në financë, nëpërmjet promovimit të instrumentave financiare dhe programeve të mbështetjes në dispozicion të sektorit privat shqiptar, duke synuar krijimin e një hapësire komunikimi mes sipërmarrësve që kërkojnë financim dhe bankave apo institucioneve mikrofinanciarë që mund t’i përgjigjen këtyre kërkesave.
Në këtë takim morën pjesë drejtues të Fondit Besa dhe oficerë kredie të zyrave Rajonale Korçë dhe Pogradec si dhe përfaqësues nga Departamenti i Marketingut.
Pjesëmarrës në takim ishin gjithashtu 50 sipërmarrje të vogla e të mesme nga rajoni i Korçës si dhe përfaqësues nga banka tregtare private dhe përfaqësues të shoqatave të biznesit. Gjatë këtij aktiviteti ekspertë të ndryshëm diskutuan mbi mundësitë e ndryshme për të mbështetur biznesin vendas nëpërmjet skemave të financimit. Drejtori i Njësisë së Menaxhimit të Programit Italo–Shqiptar për Zhvillimin e SME-ve në Shqipëri bëri një prezantim mbi “Financimin e SME-ve – Instrumentët financiarë dhe jo financiarë të Programit PRODAPS & IASME në mbështetje të zhvillimit të SME-ve”, të cilët janë projektuar për të përmirësuar qasjen në financa për SME-të shqiptare, përmes krijimit të kushteve të favorshme për realizimin e investimeve produktive.
Ai vlerësoi potencialin e kësaj zone ekonomike, si dhe numrin e madh të SME-ve të përqendruara në këtë rajon, si të natyrës të prodhimit e përpunimit, agropërpunimit, fermerë, të përpunimit të drurit dhe materialeve të ndërtimit, etj. Gjatë këtij aktiviteti ekspertë të PMU-së si dhe përfaqësues të institucioneve financiare trajtuan çështje që lidhen me mundësitë, kushtet dhe rrugën që duhet të ndjekin SME-të, për të përfituar nga mundësitë financiare që ofrohen në favor të zhvillimit të tyre.