Klasifikimi në Regjistrin e Kredive
Regjistri i Kredive përbën bazën elektronike të të dhënave identifikuese dhe financiare të personave, që aplikojnë për kredi pranë një banke, apo pranë institucioneve të tjera kredidhënëse.
Ndër objektivat e Regjistrit të Kredive përmendim vlerësimin dhe minimizimin e rrezikut të kredisë – duke iu dhënë informacionin e nevojshëm institucioneve kredidhënëse për të përcaktuar aftësinë shlyerëse të klientëve dhe për rrjedhojë mundësimin e kryerjes së transaksioneve më të shëndosha kredituese.
Kujdes! Regjistri i Kredive nuk merr vendime për kreditë dhe as nuk jep vlerësime apo analiza për huamarrësit. Ai vetëm grumbullon të dhëna, i sistemon ato në bazën e të dhënave, si dhe gjeneron informacionin identifikues dhe në lidhje me kreditë që ka pasur apo ka aplikuesi për kredi.
Para se dikush të kualifikohet për kredi, banka apo institucioni financiar shikojnë historinë e kredive që klienti mund të ketë pasur më parë për të pasur një pasqyrë të qartë për përgjegjësitë financiare të klientit.
Për t’i ndihmuar huadhënësit për marrjen e një vendimi të drejtë brenda një kohe të shkurtër, në mënyrë sa më të saktë dhe më objektive, Banka e Shqipërisë ka nxjerrë Rregulloren për Regjistrin e Kredive, në bazë të të cilit ky regjistër mbledh dhe shpërndan informacione për kreditë ndërmjet institucioneve financiare, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së kredisë dhe kryerjes së funksionit mbikëqyrës të Bankës Qendrore.
Bazuar në këtë rregullore, të gjitha institucionet kredituese raportojnë dhe mund të marrin një raport përmbledhës mbi nivelin dhe statusin e kredive aktive dhe historinë e çdo huamarrësi, me pëlqimin e klientit.