fbpx

QËLLIMI I MATERIALIT

Ky material ka qëllim t’ju informojë mbi kredinë dhe çfarë njohurish duhet të keni përpara se të vendosni të merrni një kredi në një bankë apo në një institucion tjetër financiar, siç është Fondi BESA.

Në kuadër të transparencës, në këtë material do mundohemi t’ju ndërgjegjësojmë në lidhje me informacionet e nevojshme që duhet të merrni përpara se të vendosni të merrni një kredi, qoftë në sistemin bankar ashtu edhe në institucionet e tjera financiare jo banka.

Përse duhet ta lexoni këtë material?

Informacioni i trajtuar në këtë material do t’ju ndihmojë të komunikoni më lehtë me oficerët e kredisë dhe t’i bëni atyre pyetjet e duhura për të marrë përgjigjet, të cilat do t’ju ndihmojnë të merrni vendimin e duhur për marrjen e kredisë.

Sigurisht, ky material ka qëllim edukativ dhe në rast se do të vendosni të merrni një kredi duhet të kërkoni këshilla profesionale nga një oficer kredie në një bankë apo në një institucion tjetër financiar. Njohuritë e marra do t’ju ndihmojnë gjithashtu në procesin e aplikimit për kredi, i cili fillimisht mund të duket i vështirë, por në të vërtetë, ky proces është i drejtpërdrejtë.

Vështirësia kryesore qëndron në mbledhjen e dokumentacionit dhe dhënien e informacionit të nevojshëm nga ana e aplikantit në procesin e marrjes së kredisë. Por, në rastet kur jeni të mirë organizuar, keni informacionin e duhur, mblidhni paraprakisht të gjithë dokumentet e nevojshme, atëherë ky proces nuk është i vështirë.

Fondi Besa është shumë i kujdesshëm në lidhje me informimin sa më transparent dhe të hollësishëm të klientëve. Ne i përmbahemi parimit të dhënies së informacionit transparent për klientët tanë, gjë e cila do të lehtësojë më pas edhe punën e oficerëve të kredisë. Në të gjithë nivelet e punës sonë, ne inkurajojmë kulturën e një komunikimi të hapur dhe konstruktiv, në mënyrë profesionale, duke bashkëpunuar për gjetjen e zgjidhjeve.

Ne ju informojmë gjithmonë mbi të gjithë kushtet dhe procedurat e kredisë, kostot që shoqërojnë këto kredi, kërkesat e institucionit etj. Ne ju dëgjojmë me vëmendje në mënyrë që të kuptojmë nevojat tuaja dhe t’ju ofrojmë produktin e duhur të kredisë. Jemi gjithmonë të gatshëm të kuptojmë çdo shqetësim tuajin, të diskutojmë me ju për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Në komunikimin me ju ne mundohemi të përdorim një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për të evituar çdo keqkuptim apo kuptim të gabuar të asaj që duam t’ju komunikojmë.

Ne gjithashtu bëjmë më të mirën që ju të na kuptoni dhe të na jepni sugjerimet tuaja për përmirësimin e punës, duke forcuar bashkëpunimin reciprok afatgjatë. Në një periudhë të jetës, mund t’ju dalë nevoja të investoni në fillimin e një biznesi të ri, por nuk keni para të mjaftueshme, ju duhet të zgjeroni apo avanconi biznesin tuaj, ju duhen para për likuiditet, apo për të plotësuar nevoja konsumatore.

Veç mundësisë për t’i siguruar paratë që ju nevojiten nga kursimet tuaja, familjarët, miqtë e të afërmit, një nga opsionet që ju mundëson të bëni investimet që dëshironi apo të plotësoni nevojat tuaja është marrja e një kredie. Vendimi për të marrë një kredi është vendim shumë i rëndësishëm për çdo individ.

Faktori më i rëndësishëm për të vendosur nëse do të merrni një kredi apo jo jeni JU. Por përpara se të aplikoni për një kredi, sigurisht duhet të merrni informacionin e nevojshëm dhe të merrni në konsideratë një sërë faktorësh për të marrë vendimin e duhur në kohën e duhur. Ndaj, janë një numër pyetjesh që duhet të bëni përpara se të merrni vendimin.

Të qartësosh pyetjet dhe të jesh i informuar përpara ndërmarrjes së një hapi në lidhje me kredinë, do të thotë të bësh krahasimin mes marrjes së një kredie që mund ta përballosh dhe humbjen e të drejtës mbi pronën që ke lënë si garanci. Sot, tregu financiar me një rrjet të gjerë bankash dhe institucionesh të tjera financiare që ofrojnë kredi është rritur dhe vazhdon të rritet.

Aktualisht, produktet e kredisë mund t’i gjeni të ngjashme në treg dhe kjo e ka bërë shumë të rëndësishëm kuptimin e kushteve të ofruara dhe të ndryshimeve sado të vogla për të bërë një zgjedhje racionale. Nëse ka ardhur momenti të mendoni të merrni një kredi, Fondi BESA ju këshillon të konsideroni të gjitha mundësitë tuaja.

Asnjë prej jush nuk dëshiron të shpërdorojë të ardhurat e fituara me mund, asnjë prej jush nuk do të dojë të paguajë çmimin më të shtrenjtë për një produkt, çfarëdo qoftë ai për një cilësi të njëjtë.

Kujdes! Planifikoni, informohuni dhe pastaj merrni vendimin. Vendimi i duhur do ju kthehet në vlerë, vendimi i gabuar në makth. Pra, hapi i parë është të edukohemi pasi “dija” është “aftësi”.

Çfarë duhet të dini përpara se të merrni një kredi?

Në radhë të parë duhet të studioni me kujdes se sa janë të ardhurat dhe shpenzimet tuaja mujore. Kjo mund t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë kapaciteti keni për të shlyer kredinë, duke ju ndihmuar kështu të vendosni për shumën e kredisë dhe për pagesat mujore.

Çfarë është kredia?

Kredia është një hua (një shumë të hollash), që ju ofrohet nga një bankë apo një institucion financiar, që duhet ta paguani më vonë sipas kushteve të caktuara në kontratën e kredisë, në një afat të caktuar, me një interes të caktuar.

Sipas ligjit “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, ligji nr. 9662, datë 18.12.2006, përkufizimi i kredisë është: “KREDI” është marrëdhënia juridike e detyrimit për të livruar një shumë monetare në këmbim të së drejtës së ripagimit të shumës së livruar dhe të interesit ose komisioneve të tjera bankare mbi këto shuma, si dhe çdo shtyrje e datës së maturimit të një letre me vlerë të borxhit apo të ndonjë të drejte tjetër për të paguar një shumë monetare.

Kujdes! Kredia e ka një çmim.

Çfarë lloj kredie duhet të merrni ?

Pasi keni identifikuar se cila është shuma që ju nevojitet për ta marrë kredi, keni identifikuar të ardhurat dhe shpenzimet dhe jeni të qartë se cili është kapaciteti juaj për të shlyer kredinë, hapi tjetër që duhet të ndërmerrni është një kërkim tregu, pra të pyesni në banka apo institucione financiare për të parë se çfarë lloji kredie i përshtatet nevojave tuaja.

Në varësi të llojit të kredisë do të jenë edhe procedurat. Prandaj është shumë  e rëndësishme që të vendosni për kredinë e duhur, që do t’i përshtatet nevojave tuaja.

Llojet e kredive

Ka shumë lloje kredish, por ato më të zakonshmet në Shqipëri janë: kredi biznesi, kredi hipotekare, kredi konsumatore, kredi bujqësore, kredi për rininë, etj. Në varësi të qëllimit për të cilin do të përdorni kredinë, do të zgjidhni edhe llojin e kredisë.

Cila Bankë? Cili institucion Financiar?

Hulumtoni të gjitha bankat dhe institucionet financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë dhe zbuloni cila bankë ofron ofertën që i përshtatet më mirë nevojave tuaja.

Hulumtoni disa banka dhe krahasoni normat e interesit dhe kostot e tjera. Por është e rëndësishme të merrni në konsideratë jo vetëm interesin e kredisë, por edhe të gjitha kostot e tjera që janë të detyrueshme të paguhen për marrjen e kredisë, ashtu edhe kushtet e tjera që kanë të bëjnë me shlyerjen e kredisë para afatit, rastet e vonesave të kredisë etj.

Mundohuni të pyesi për të gjitha kostot që duhet të paguani si dhe për këstin mujor në mënyrë që të kuptoni më mirë se cilat do të jenë detyrimet tuaja. Vendosni me shumë kujdes për bankën apo institucionin financiar që ju ofron kushtet më të mira.

Pasi të merrni informacionin e lartpërmendur, do të jeni gati për të aplikuar për kredi. Më pas, huadhënësi do të shqyrtojë aplikimin, të ardhurat, pasuritë dhe garancitë tuaja si dhe kapacitetin tuaj për të shlyer kredinë në mënyrë që të mos ju vendosë në vështirësi.

Kriteret minimale të kualifikimit për të marrë kredi?

Jo çdokush që kërkon kredi mund të klasifikohet për të marrë një të tillë. Çdo bankë apo institucion financiar ka kriteret e veta të kualifikimit.

Sigurisht mikrofinanca ka kritere shtesë që e bëjnë një individ të pranohet për të marrë kredi.

 

Disa nga kriteret minimale që aplikon Fondi Besa janë:

 1. Si rregull, klienti duhet të ketë shtetësi shqiptare;

 2. Ekzistenca e një aktiviteti biznesi të ligjshëm ose të jetë i punësuar me     pagë;

 3. Mosha minimale 18 vjeç. Mosha maksimale për shlyerjen e këstit të fundit të  kredisë do të jetë 67 vjeç për femrat dhe 70 vjeç për meshkujt;

 4. Histori të mirë kredie në Fondin BESA dhe sistemin financiar;

 5. Produkti i kredisë të përputhet me nevojat e klientit potencial;

 6. Autorizim për të kontrolluar regjistrin e kredive të Bankës së Shqipërisë;

 7. Gatishmëri për të plotësuar aplikimin për kredi;

 8. Aplikuesi jeton dhe/ose punon në zonën që mbulohet nga dega;

9. Aplikuesi mund të identifikohet lehtësisht dhe ka paraqitur një dokument identifikimi;

10. Reputacion i mirë në dijeni të oficerit të kredisë.

Dokumentet që duhet të siguroni përpara se të merrni kredi

Në çdo bankë apo institucion financiar që do të aplikoni për kredi duhet të paraqisni një numër të caktuar dokumentesh.

Me qëllim që të përshpejtoni procesin, do të ishte mirë që një numër dokumentesh që janë të domosdoshme për t’u paraqitur, do të ishte e mira që ti siguroni përpara se të shkoni për të aplikuar për kredi.

Disa nga këto dokumente janë:

1. Dokumenti juaj i identifikimit dhe i bashkëshortes/it dhe garantorëve –    (Letërnjoftimi ose karta e identitetit, (dokumente të vlefshme identifikimi të lëshuara nga Republika e Shqipërisë);

2. Çertifikatat familjare tuajat dhe garantorëve.

3. Dokumentet ligjore të aktivitetit të tyre (ekstrakt i QKR-së)

4. Dokumenti ligjor i pronësisë mbi kolateralin që do të vendoset si garanci për kredinë, i cili duhet të jetë lëshuar nga ZVRPP në muajin e fundit:

5. Çertifikatë/kartela e pronës origjinal ose vërtetimi nga dokumentet hipotekor, origjinal/harta e pronës si dhe dy fotografi të kolateralit të lenë si garanci (në rastet kur aplikohet kolaterali)

6. Dokumente që vërtetojnë të ardhurat tuaja (vërtetim page)

7. Dokumentet shtesë në varësi nga kredia për të cilën aplikoni.

Kontrata e Kredisë

Kontrata e kredisë është një marrëveshje ndërmjet dy palëve ku njëra palë “huadhënësi” angazhohet të ofrojë një kredi për palën tjetër “huamarrësin”. Huadhënës zakonisht është një institucion financiar, bankë komerciale, institucion financiar, etj., i licencuar nga Banka e Shqipërisë, që i jep kredinë huamarrësit.

Një Kontratë kredie është dokumenti në të cilin një huadhënës përcakton të gjitha kushtet sipas të cilave ia bën të mundshme kredinë një huamarrësi. “Huamarrësi” është personi që merr vlerën (shumën/kredinë) nga huadhënësi me kusht që ai do të paguajë shumën e principalit dhe interesin për huadhënësin.

Kontratat e kredisë duhet të jenë të dizenjuara për t’ia qartësuar çdo aspekt të kredisë huamarrësit. Megjithatë, këto kontrata ndonjëherë mund të jenë të komplikuara dhe madje konfuze. Nëse nuk jeni të sigurt se çfarë nënkupton një pjesë e caktuar e një dokumenti, kurrë mos hezitoni të kërkoni shpjegim apo asistencë. Shqyrtojeni pa u ngutur dhe mos e nënshkruani kontratën nëse nuk e kuptoni çdo nen të kontratës.

Kujdes! *Është shumë e rëndësishme që të lexoni me shumë kujdes çdo nen të Kontratës së Kredisë. Në çdo rast, kur ka diçka që nuk e kuptoni, pyesni oficerin e kredisë për të marrë përgjigje.

Çfarë është principali?

Principali është shuma origjinale e kredisë që huamarrësi (klienti) ja ka borxh huadhënësit në datën kur nënshkruhet kontrata për kredi. Pasi huamarrësi të ketë filluar kthimin e kredisë, principali i referohet shumës së parave që ende i detyrohet t’i paguhet huadhënësit.

Cili duhet jetë afati i shlyerjes së kredisë?

Afati është kohëzgjatja e kontratës së kredisë. Në varësi të shumës, llojit të kredisë, llojit të aktivitetit që do të kreditohet, përcaktohet edhe afati i shlyerjes së kredisë.

Pasi të përcaktoni afatin e përshtatshëm të shlyerjes, përcaktohet edhe shuma e këstit që që do të paguani çdo muaj. Meqenëse kreditë e ndryshme kanë afate të ndryshme, dhe si rrjedhojë edhe kosto të ndryshme, është më mirë të diskutoni opsionet tuaja me bankën apo institucionin financiar.

Sa më i shkurtër të jetë afati i maturimit, aq më i lartë do të jetë kësti mujor, por në vlerë absolute do të paguani më pak interes gjatë shlyerjes së kredisë. Të gjitha bankat kanë oferta të ndryshme për afatet, prandaj dhe ju duhet të zgjidhni institucionin (bankën) që ju jep ofertën më të mirë në këtë aspekt.

Përsa i përket shumës së këstit, në varësi të kohëzgjatjes do t’i kërkoni oficerit të kredisë t’ju tregojë kalendarët e mundshëm të kredisë për të kuptuar se cili do të ishte më i përshtatshmi për ju.

Çfarë është norma e interesit të kredisë?

Norma e interesit është shuma që i ngarkohet huamarrësit për përdorimin e fondeve të huadhënësit. Pra, me fjalë të thjeshta është çmimi që ju i paguani institucionit huadhënës për përdorimin e parave të tyre. S

igurisht, sa më e ulët të jetë norma e interesit (kur shuma dhe afati i kredisë mbetën të pandryshuar) aq më të ulta do të jenë këstet mujore. Norma nominale siç komunikohet shpesh në spotet televizive nuk përfshin kostot shtesë mbi huanë (p.sh. komisionet, apo tarifat, etj.).

Ajo shprehet si përqindje e shumës së huazuar dhe llogaritet në një interval të caktuar gjatë rrjedhës së afatit të kontratës së kredisë.

Norma e interesit të kredisë është “fikse” apo e “ndryshueshme”?

Norma e interesit mund të përcaktohet ose si normë fikse interesi ose normë interesi e ndryshueshme. “Normë fikse e interesit për kreditë” është norma e interesit, për të cilën banka/institucioni financiar dhe kredimarrësi bien dakord në marrëveshjen e kredisë, që të jetë një përqindje fikse e pandryshuar për gjithë kohëzgjatjen e marrëveshjes së kredisë.

Ndërsa, “norma e ndryshueshme e interesit” është ajo normë që ndryshon gjatë kohëzgjatjes së marrëveshjes së kredisë. Shpesh, një kredi ofron një normë interesi më të ulët në fillim të afatit të kredisë, që rezulton në një pagesë mujore më të ulët. Megjithatë, norma e interesit mund të rritet ose ulet dhe ju mund të keni një pagesë mujore më të lartë ose më të ulët, ndërkohë që për pagesën e lartë mund të jeni ose nuk mund të jeni në gjendje të paguani.

Për normat e ndryshueshme të interesit është e rëndësishme që të ofrohen të gjitha detajet e nevojshme të ndryshueshmërisë e saj. Ju duhet të njoftoheni detyrimisht për ndryshimin e normës së interesit. Në Fondin BESA ne operojmë vetëm me interesa fikse përgjatë të gjithë kohës së kredisë. Kjo do të thotë që kredimarrësi është i informuar që në fillim të marrjes së kredisë se sa është shuma e këstit që do të paguajë deri në shlyerjen e plotë të kredisë.

Norma efektive e interesit

Norma efektive e interesit (NEI) reflekton koston e plotë lidhur me kredinë dhe duhet të shprehet qartë në kontratën e kredisë si përqindje vjetore e vlerës së kredisë së dhënë dhe e llogaritur në përputhje me nenin 6, të rregullores së Bankës së Shqipërisë, “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet Bankare e Financiare”.

 Ajo mundëson krahasime të drejtpërdrejta me produkte të tjera të kredisë dhe ndihmon klientët për të kuptuar se sa duhet paguar për kredi. Norma efektive e interesit ndikohet nga shumë faktorë, siç është interesi nominal mujor, komisionet, metoda e zgjedhur e shlyerjes dhe afati i kredisë.

 Kjo normë është më e lartë se norma nominale e kredisë, sepse merr parasysh kosto të tjera kredie siç është p.sh. komisioni i kredisë apo çdo kosto tjetër që duhet paguar për marrjen e kredisë.

Informacionet e detajuara mbi metodologjinë e llogaritjen së normës efektive të interesit dhe përkufizimi i elementeve të përdorura për llogaritjen e saj përcaktohen me akte nënligjore të nxjerra nga Banka e Shqipërisë, e cila e ka nxjerrë Rregulloren mbi normën efektive të interesit. Pasi të merrni informacionin e lartpërmendur, do të jeni gati për të aplikuar për kredi.

Qëllimi i kësaj rregulloreje është të përcaktojë metodologjinë e unifikuar për llogaritjen e normës efektive të interesit për kreditë e dhëna, si dhe kërkesat minimale për informimin e klientëve mbi produktet dhe shërbimet që ofrojnë bankat dhe institucionet financiare për klientët dhe kostot e tyre.

Është shumë e rëndësishme për të kuptuar dallimin në mes të normës nominale të interesit dhe normës efektive të interesit. Siç u përmend më lart norma nominale e interesit është një përqindje e shumës së huazuar, që përcakton shumën e interesit të paguar nga klienti në këste mujore ose vjetore, ndërsa norma efektive e interesit përdoret për të paraqitur, në një shifër të vetme, të gjitha shpenzimet e lidhura me kredinë.

Kështu, norma efektive e interesit përfshin edhe të gjitha kostot shtesë të procesimit të aplikacionit të kredisë, etj. duke marrë parasysh kohën në të cilën këto shpenzime kanë ndodhur.

Komisioni i Aplikimit

Komisioni i aplikimit krijohet nga tarifë (fee) e veçantë që paguhet nga klienti kryesisht para se kredia e aprovuar të disbursohet, në varësi të shumës dhe afatit të kredisë. Kjo tarifë duhet të jetë e shprehur në përqindje edhe në kontratën e kredisë. Ky fond është i pakthyeshëm.

Kosto totale e kredisë për klientin

”Kostoja totale e kredisë për klientin”- është tërësia e të gjitha shpenzimeve, duke përfshirë dhe interesat, komisionet dhe çdo lloj tjetër shpenzimi që klienti paguan në lidhje me marrëveshjen e kredisë sipas kushteve të saj.

Sa do të jetë pagesa mujore totale e kredisë time?

Ju duhet të dini se sa do të jetë shuma totale që duhet të paguani për kredinë e marrë dhe sa do të jenë këstet mujore. Një nga çështjet më të rëndësishme që duhet të kuptoni në këtë aspekt është si ndahet pagesa e këstet ndërmjet interesit dhe principalit për afatin e përcaktuar të kredisë?

Është e nevojshme të dini shumën totale të këstit mujor sepse kështu mund të kuptoni nëse jeni në gjendje të përballoni marrjen e një kredie të caktuar, pra nëse të ardhurat tuaja mujore mund të mbulojnë koston e jetesës dhe pagesën e këstit të kredisë.

Pavarësisht nëse oficeri i kredisë ju konsideron se mund të kualifikoheni për të marrë një shumë të caktuar kredie, kjo nuk do të thotë se ajo kredi mund të jetë e përballueshme prej jush.

Jeni Ju ata që duhet ta vlerësoni nëse do të mund ta paguani këstin mujor të kredisë. Shpesh dëgjojmë në reklamat e ndryshme në media se disa produkte kredie ofrojnë “norma tërheqëse”, norma interesi të ulta për një vit apo një kohë të shkurtër, të cilat më pas rriten duke rezultuar në pagesa mujore shumë më të larta, dhe ndonjëherë të papërballueshme për ju.

Bëni kujdes të merrni të gjithë informacionin e nevojshëm se cila do të jetë shuma maksimale e këstit që do t’ju duhet të paguani, në rast se do të ndryshojë norma e interesit.

Është një pyetje për të cilën duhet të sqaroheni që në fillim, përpara se të vendosni të merrni kredi. Duke pasur informacionin e duhur, do të jeni të ndërgjegjshëm se sa do të paguani dhe si do të planifikoni për të paguar kredinë.

Si të veprojmë në rast të pamundësisë të shlyerjes së kredisë?

Kur mendoni të merrni një kredi, duhet domosdoshmërish të mendoni edhe skenarë kur mund të keni vështirësi financiare për ta shlyer dhe të parashikoni se cilat do të jenë masat që do të merrni dhe si do të jeni në gjendje të shlyeni kredinë në raste të tilla. Asnjë prej jush nuk do të donte të kalonte në procedura ligjore për shlyerjen e kredisë apo të rrezikonte shtëpinë apo çdo pasuri të lenë si garanci për kredinë.

Gjatë periudhës së shlyerjes së kredisë ju mund të përballeni me situata të vështira, si: pushim nga puna, sëmundje dhe ndërprerje të punës, vonesa në përfitimin e pagës nga punëdhënësi, probleme në biznes, etj. të cilat mund të bëhen pengesë në përmbushjen e detyrimeve ndaj huadhënësit.

Në raste të tilla asnjëherë mos u mundoni të fshihni situatën tuaj të vështirë. Në vend të heshtjes, zgjidhni të komunikoni menjëherë me oficerin e kredisë dhe t’i shpjegoni situatën, si keni menduar dhe çfarë do t’ju duhej për të dalë nga kjo situatë. Huadhënësi asnjëherë nuk është i interesuar ta vështirësojë akoma më shumë situatën e huamarrësit sepse kjo do të thotë një mundësi më pak për të marrë kredinë e dhënë.

Mund të jetë rasti kur  huadhënësi të konsiderojë një ristrukturim. Sigurisht, një bankë apo një institucion tjetër financiar është në treg për të realizuar fitim dhe kjo do të thotë që synimi i tyre kryesor është të kenë klientë të qëndrueshëm. Ato nuk janë institucione bamirësie që t’ju falin detyrimin, por mund të tregojnë mirëkuptim dhe t’ju ndihmojnë me ristrukturimin e kredisë dhe të mos fillojnë menjëherë veprimet ligjore për të shlyer kredinë.

Në të njëjtën kohë, kjo do t’ju japë mundësi të vazhdoni aktivitetin, të mos keni rekorde negative në regjistrin e kredisë, të mos ju sekuestrohet kolaterali si dhe të keni mundësi të shlyeni kredinë e marrë, qoftë edhe më një çmim akoma më të lartë.

Çfarë monedhe duhet të zgjidhni në marrjen e kredisë?

Kredia mund të merret në monedhë vendase apo në monedhë të huaj. Një nga faktorët kryesorë që ndikon në vendimmarrjen për llojin e monedhës është se në cilën monedhë gjenerohen të ardhurat.

Të marrësh kredinë në Lek është avantazh sepse duke planifikuar këstet mujore, nuk do të keni surpriza përgjatë periudhës së shlyerjes së kredisë. Pra do të evitoni risqet që vijnë nga luhatjet e kursit të këmbimit. Në këtë mënyrë do të mund të menaxhoni lehtësisht portofolin personal si dhe minimizoni rreziqet që do të ndikonin shpenzimet tuaja ditore ose mujore.

Kreditë në monedhë të huaj paraqesin rreziqe shtesë si për huamarrësin dhe për huadhënësin. Për huamarrësin, huamarrja në valutë pa informacionin e duhur përbën përfundimisht një nga format e spekulimit valutor, e cila ekspozon huamarrësin përballë këtij rreziku. Kreditë në valutë të huaj janë preferencë e spekulatorëve të vetëdijshëm ndaj ekzistencës së rrezikut.

Luhatjet e këmbimit valutor janë të paparashikueshme dhe ndërkohë ju thjesht tentoni të parashikoni nëse valuta do të forcohet ose dobësohet kundrejt Lekut. Kreditë në valutë kërkojnë një përkujdesje të veçantë. Në rastin kur të ardhurat gjenerohen në monedhë të huaj, mund të jetë e arsyeshme marrja e një kredi në valutë. Por ne do të rekomandonim marrjen e një kredie në lek, në qoftë se të ardhurat tuaja janë në Lek.

Në rastet kur monedha e kredisë është e ndryshme nga ajo e monedhës në të cilën gjenerohen të ardhurat, oficeri i kredisë duhet t’ju njoftojë mbi risqet që ekzistojnë për shkak të luhatjeve të kursit të këmbimit. Gjithashtu duhet edhe t’ju bëjë një shembull se si ndryshon shuma e këstit të kredisë si pasojë e ndryshimit të kursit të këmbimit.

Çfarë është informacioni parakontraktor për kreditë konsumatore?

Pasi keni diskutuar me oficerin e kredisë të gjitha kushtet dhe termat e kredisë konsumatore dhe keni rënë dakort mbi këto kushte dhe terma, oficeri i kredisë duhet t’ju japi të gjithë këtë informacion në formë të shkruar, bazuar në rregulloren e Bankës së Shqipërisë.

Ky informacion përfshihet në Fletën e Standartizuar të Informacionit Parakontraktor. Këtë dokument ju duhet ta merrni nga banka të ndryshme dhe mund të krahasoni kushtet dhe termat e kredive konsumatore në mënyrë që të zgjidhni termat dhe kushtet më të mira për ju.

Është e rëndësishme që të lexoni me kujdes çdo element që përmban ky informacion dhe të pyesni oficerin e kredisë për çdo paqartësi. Ky informacion do të nënshkruhet nga ju nëse merrni kredi për të vërtetuar që keni marrë informacionin e nevojshëmdhe do të jetë pjesë e dosjes tuaj të kredisë.

Penalitetet?

Bankat dhe institucionet financiare zakonisht e detyrojnë klientin të paguajë penalitete për rastet e vonesës së pagesës së këstit të kredisë. Shikoni me kujdes që Kontrata e kredisë të përmbajë detaje për penalitete të tilla të shprehura si përqindje.

Objekti i politikës së penaliteteve duhet të jetë i tillë që të detyrojë klientët të shlyejnë kreditë e tyre në kohë. Politikat e bankës apo institucionit financiar duhet të synojnë që të sigurojë se politika e penalitetit nuk ndikon negativisht tek klientët në shlyerjen e kredive.

Klasifikimi në Regjistrin e Kredive

Regjistri i Kredive përbën bazën elektronike të të dhënave identifikuese dhe financiare të personave, që aplikojnë për kredi pranë një banke, apo pranë institucioneve të tjera kredidhënëse.

Ndër objektivat e Regjistrit të Kredive përmendim vlerësimin dhe minimizimin e rrezikut të kredisë – duke iu dhënë informacionin e nevojshëm institucioneve kredidhënëse për të përcaktuar aftësinë shlyerëse të klientëve dhe për rrjedhojë mundësimin e kryerjes së transaksioneve më të shëndosha kredituese.

Kujdes! Regjistri i Kredive nuk merr vendime për kreditë dhe as nuk jep vlerësime apo analiza për huamarrësit. Ai vetëm grumbullon të dhëna, i sistemon ato në bazën e të dhënave, si dhe gjeneron informacionin identifikues dhe në lidhje me kreditë që ka pasur apo ka aplikuesi për kredi.

Para se dikush të kualifikohet për kredi, banka apo institucioni financiar shikojnë historinë e kredive që klienti mund të ketë pasur më parë për të pasur një pasqyrë të qartë për përgjegjësitë financiare të klientit.

Për t’i ndihmuar huadhënësit për marrjen e një vendimi të drejtë brenda një kohe të shkurtër, në mënyrë sa më të saktë dhe më objektive, Banka e Shqipërisë ka nxjerrë Rregulloren për Regjistrin e Kredive, në bazë të të cilit ky regjistër mbledh dhe shpërndan informacione për kreditë ndërmjet institucioneve financiare, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së kredisë dhe kryerjes së funksionit mbikëqyrës të Bankës Qendrore.

Bazuar në këtë rregullore, të gjitha institucionet kredituese raportojnë dhe mund të marrin një raport përmbledhës mbi nivelin dhe statusin e kredive aktive dhe historinë e çdo huamarrësi, me pëlqimin e klientit.

Çfarë është kërkimi në regjistrin e kredive?

Kur ju aplikoni për një kredi hipotekare, oficeri i kredisë duhet të marrë një klauzolë nga secili aplikant, bashkë-kredimarrës dhe dorëzanës në mënyrë që të bëjë një kërkim në Regjistrin e Kredive, për secilën palë të përfshirë në kredi.

Regjistri i Kredive, është një bazë elektronike të dhënash për kredimarrësit dhe dorëzanësit, sipas sistemit bankar dhe institucioneve të tjera financiare në Shqipëri.

Kërkimi në regjistrin e kredive, i gjeneruar për Kredimarrësin/Dorëzanësin, përmban informacion mbi shumën e kredisë, pagesat, shumat në vonesë, kolateralet, linjat e kredive në rastin kur kredimarrësi është person i lidhur dhe historikun e pagesës së kredive për dy vitet e fundit.

Ju duhet të jeni shumë të kujdesshëmnë procesin e ripagimit të kredisë, në mënyrë që të keni një historik kredie të mirë. Klientët me historik kredie të keq, do të kenë vështirësi në rastin kur kërkojnë të marrin një kredi tjetër.

Klauzola e pëlqimit paraprak

Nëpërmjet firmosjes së Klauzolës së Pëlqimit Paraprak, ju autorizoni Bankën apo institucionin financiar për të tërhequr nga sistemi i Bankës së Shqipërisë një historik të kredive apo financimeve tuaja nga institucione të ndryshme dhe të dhëna të tjera bazë nga institucione të tjera, që shërbejnë për të vlerësuar sjelljen tuaj ndaj borxhit.

Pra, Banka apo institucioni financiar, para se të përpunojnë informacionin dhe të dhënat në Regjistrin e Kredive duhet të marrin paraprakisht një autorizim me shkrim nga kredimarrësi. Autorizimi, i quajtur “Klauzola e pëlqimit paraprak”, jepet që në momentin kur kredimarrësi nënshkruan formularin e aplikimit për kredi.

Ai është i vlefshëm edhe përgjatë gjithë kohëzgjatjes së marrëdhënies kreditore dhe i bashkëlidhet kontratës së kredisë, në rast kur kjo e fundit është miratuar.

Në këtë mënyrë, në momentin e paraqitjes së një kërkese për kredi, raportuesit përdorin informacionin e Regjistrit të Kredive për të verifikuar besueshmërinë dhe nivelin aktual të kreditimit të klientit të mundshëm, për  ta financuar ose jo atë, si dhe për të përcaktuar kushtet e shlyerjes së kredisë.

Pra, banka ose çdo institucion tjetër kredidhënës sigurohet nëse klienti ka ose jo një histori kreditimi dhe sa korrekt ka qenë ai në shlyerjen e detyrimeve të mëparshme.

Kolaterali

Kolateral është diçka e premtuar si siguri për shlyerjen e një kredie, që do të konfiskohet në rast se ju nuk mund t’i paguani kredinë.

Pra, kolaterali është një garanci reale në një kontratë huaje që një huamarrës ose një person i tretë vendos për huadhënësin.

Kolaterali është pasuri e paluajtshme dhe/ose pasuri e luajtshme dhe është objekt garancie nëpërmjet bllokimit në zyrat përkatëse.

Një bankë apo institucion financiar nuk do të miratojë kredinë për të cilën mendon se nuk ka shans për t’u paguar. Prandaj, kreditë shumë shpesh sigurohen me instrumente të ndryshme si kolateral, peng apo barrë siguruese.

Kontrata e kredisë duhet të përmbajë detaje për instrumentet që përdoren si kolateral, si dhe për sekuencën dhe mënyrat e ekzekutimin të tyre.

Por në asnjë rast banka apo institucioni financiar nuk je-p një kredi vetëm se ajo mbështetet nga një kolateral i mirë, por vetëm pasi të jetë bërë një analizë e detajuar, e cila tregon se klienti ka kapacitet për të shlyer kredinë.

Peng

Pengu është një e drejtë reale që vihet mbi pasuritë e luajtshme të debitorit, ose një të treti në dobi të kreditorit, për të siguruar përmbushjen e detyrimit.

Pengu krijohet duke vendosur pasurinë e luajtshme ose titullin në posedim të kreditorit ose të një të treti të caktuar me marrëveshje midis palëve.

Barrë Siguruese

Barrë siguruese është një e drejte reale mbi pasuri të paprekshme ose pasuri të luajtshme të prekshme, si të tashme dhe të ardhme, që siguron një ose më shumë detyrime që kanë lindur përpara ose pas lidhjes së marrëveshjes siguruese.

Dorëzanës

Dorëzanës është personi që detyrohet t’i sigurojë kreditorit ekzekutimin e detyrimit të një personi të tretë (debitori). Dorëzania është e vlefshme edhe kur debitori nuk ka dijeni për të. Dorëzanësi përgjigjet për të gjitha detyrimet e debitorit.

Shlyerja e parakohshme

Konsumatorët mund të paguajnë kredinë më herët se sa është planifikuar dhe nënshkruar në kontratën e kredisë. Mund t’ju ndodhë që në një moment  të caktuar të keni para të lira dhe dëshironi të ulni nivelin e borxhit.

Pjesa më e madhe e bankave dhe institucioneve të tjera financiare ja u lejon këtë. Disa prej tyre kanë vendosur një komision të caktuar fiks, disa të tjera një përqindje mbi shumën e mbetur, etj.

E rëndësishme është që kur nënshkruani një kontratë, kushtoni vëmendje pjesës për shlyerjen e parakohshme, nëse kontrata e kredisë parashikon një mundësi të tillë dhe nëse duhet të paguhet komision apo penalitet për atë. Është e drejta juaj që t’i kërkoni huadhënësit këtë informacion.

Komisioni i parapagimit

Komisioni i parapagimit është një tarifë që ju ngarkohet nëse e shlyeni kredinë para afatit të maturimit. Penalitetet aktuale për shlyerje të kredisë para afatit të maturimit të aplikueshme nga bankat bazuar në rregulloren e Bankës së Shqipërisë janë 2% të shumës së kredisë së paguar para afatit, nëse periudha midis shlyerjes para afatit dhe maturimit të kredisë është mbi 1 vit dhe 1% të shumës së kredisë së paguar para afatit, nëse periudha midis shlyerjes para afatit dhe maturimit të kredisë nuk kalon 1 vit. Megjithatë, disa huadhënës mund të aplikojnë 0% penalitet për shlyerje të parakohshme.

Periudha Grace

Periudha grace (periudha e mospagimit) është periudha kur paratë e marra si kredi janë në dispozicion të huamarrësit, por shlyerja ende nuk ka filluar.

Në shumicën e kontratave të kredisë, pagesat e pezulluara gjatë periudhës Grace janë të liruara nga interesi, por disa e kanë të përfshirë interesin gjatë periudhës grace.

Është shumë e rëndësishme për klientët që të specifikohet në kontratë, nëse ngarkohet interesi gjatë periudhës Grace. Qëllimi i periudhës grace është që klientit t’i jepet mundësia e një kohe shtesë për gjeneruar një rrjedhje të mjaftueshme parash.

Kësti

Këstet janë pagesat e bëra në periudha të caktuara kohore (zakonisht mujore) për shlyerjen e kredisë. Kontrata e kredisë ose aneks marrëveshja (plani i pagesës) duhet të përcaktojë shumën e saktë të këstit të pagesës (përfshirë principalin dhe interesin) dhe numrin e kësteve.

Huadhënësi është i detyruar që të sigurojë një plan të kësteve (planin e amortizimit), i cili konsiderohet si një pjesë përbërëse e kontratës së kredisë.

Planifikimi i kësteve përmban një listë të kësteve dhe ndryshimet përkatëse në pagesat e mbetura të principalit dhe të interesit.

Cilat janë procedurat e aplikimit?

Për të aplikuar për një kredi ka një sërë rregullash dhe procedurash, të cilat mund të jenë të ndryshme nga një bankë në tjetrën apo nga një institucion financiar në tjetrin.

Për këtë bëni të gjithë pyetjet e mundshme në mënyrë që të planifikoni kohën dhe dokumentacion që ju duhet.

Përfundim

Sistemi financiar që vepron në Shqipëri ka dëshmuar të jetë një sistem i qëndrueshëm dhe stabël. Megjithatë, për të rritur besimin e njerëzve në sistemin financiar të Shqipërisë, Banka e Shqipërisë vazhdon avancimin e mbikëqyrjes dhe rregullimin e institucioneve financiare e në veçanti çështjet e kredive.

Nga pikëpamja juaj si klientit, të kesh kredi në një bankë apo institucion financiar do të thotë të kesh një hua dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që përpara se të vendosni për të marrë një kredi, të mendoni jo vetëm si ta merrni një kredi, por edhe si do ta ktheni atë.

Ekziston një grup i produkteve financiare dhe shërbimeve që ju mund të zgjidhni. Bëhuni të kujdesshëm dhe zgjidhni atë që i përshtatet nevojave tuaja. Më e rëndësishmja, lexoni dhe kuptoni qartë çdo nen të kontratës së kredisë dhe të firmosni atë vetëm kur keni kuptuar gjithçka!

  • NJOFTIM PUNËSIMI Fondi BESA sh.a Institucion per Kreditimin e Bizneseve, shpall konkurrimin per vend te lire pune ne pozicionin ARKETARE per qytetin e Tiranes. Kerkesat kryesore per kandidatet per kete pozicion jane: o Te kene diplome te shkolles se larte, preferohet Fakulteti ...
  • NJOFTIM PUNËSIMI Fondi BESA sh.a Institucion Financiar Jobankar, shpall konkurrimin për vënd te lirë pune në pozicionin Specialist për Rrjetet Sociale, pranë Departamentit të Marketingut dhe Zhvillimit, në Zyrën Qendrore: Kërkesat kryesore për kandidatet për këtë pozicion janë: Detyrat kryesore për të ...
  • NJOFTIM PUNËSIMI Fondi BESA sh.a Institucion Financiar Jobankar, shpall konkurrimin për vend të lirë pune në pozicionin ASISTENTE OPERATORE për Qytetin e Elbasanit. Kërkesat kryesore për kandidatët për këtë pozicion janë: o Diplomë Universitare në Fakultetin Ekonomiko Të ketë të paktën 1 ...