fbpx

Norma efektive e interesit


Norma efektive e interesit (NEI) reflekton koston e plotë lidhur me kredinë dhe duhet të shprehet qartë në kontratën e kredisë si përqindje vjetore e vlerës së kredisë së dhënë dhe e llogaritur në përputhje me nenin 6, të rregullores së Bankës së Shqipërisë, “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet Bankare e Financiare”.

 Ajo mundëson krahasime të drejtpërdrejta me produkte të tjera të kredisë dhe ndihmon klientët për të kuptuar se sa duhet paguar për kredi. Norma efektive e interesit ndikohet nga shumë faktorë, siç është interesi nominal mujor, komisionet, metoda e zgjedhur e shlyerjes dhe afati i kredisë.

 Kjo normë është më e lartë se norma nominale e kredisë, sepse merr parasysh kosto të tjera kredie siç është p.sh. komisioni i kredisë apo çdo kosto tjetër që duhet paguar për marrjen e kredisë.

Informacionet e detajuara mbi metodologjinë e llogaritjen së normës efektive të interesit dhe përkufizimi i elementeve të përdorura për llogaritjen e saj përcaktohen me akte nënligjore të nxjerra nga Banka e Shqipërisë, e cila e ka nxjerrë Rregulloren mbi normën efektive të interesit. Pasi të merrni informacionin e lartpërmendur, do të jeni gati për të aplikuar për kredi.

Qëllimi i kësaj rregulloreje është të përcaktojë metodologjinë e unifikuar për llogaritjen e normës efektive të interesit për kreditë e dhëna, si dhe kërkesat minimale për informimin e klientëve mbi produktet dhe shërbimet që ofrojnë bankat dhe institucionet financiare për klientët dhe kostot e tyre.

Është shumë e rëndësishme për të kuptuar dallimin në mes të normës nominale të interesit dhe normës efektive të interesit. Siç u përmend më lart norma nominale e interesit është një përqindje e shumës së huazuar, që përcakton shumën e interesit të paguar nga klienti në këste mujore ose vjetore, ndërsa norma efektive e interesit përdoret për të paraqitur, në një shifër të vetme, të gjitha shpenzimet e lidhura me kredinë.

Kështu, norma efektive e interesit përfshin edhe të gjitha kostot shtesë të procesimit të aplikacionit të kredisë, etj. duke marrë parasysh kohën në të cilën këto shpenzime kanë ndodhur.