fbpx

Marrëveshja e parë për Punësim dhe Inovacion Social në Shqipëri nga e cila do të përfitojnë 5,000 sipërmarrje të vogla


Fondi Europian për Investimet (FEI) DHE Fondi Besa kanë nënshkruar marrëveshjen e parë të garancisë që synon mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla në Shqipëri sipas Programit të BE-SË për Punësim dhe Inovacion Social (EaSI).

Kjo marrëveshje e re EaSI me institucionin mikrofinanciar jo-bankë, Fondi BESA, do të mbulojë një portofol kredie prej 3 miliard lekë (22 milion Euro) për huamarrësit e vegjël, me target kryesor aktivitetet në sektorin e agro-biznesit dhe sipërmarrjen e të rinjve. Më shumë se 5,000 huamarrës të vegjël, me pak apo aspak akses në sistemin financiar, pritet të përfitojnë nga ky transaksion.

Marianne Thyssen, Komisionere për Punësimin, Çështjet Sociale, Zhvillimin e Aftësive dhe Punës, tha: “Falë financimin të BE-së, sipërmarrësve të rinj dhe sipërmarrjeve të vogla në sektorin e agrobiznesit në Shqipëri do t’i ofrohet një fond prej 22 milion Euro në formë kredie me interesa të ulëta. Përmes programit EaSI, Komisioni Europian konfirmon angazhimin e tij për forcimin e ekonomive lokale, nxitjen e zhvillimit dhe vendeve të punës dhe për të ndihmuar njerëzit më në nevojë në tregun e punës”.

Drejtori Ekzekutiv i FEI-t, Pier Luigi Gilibert tha: “Jam i lumtur që kemi firmosur marrëveshjen tonë të parë EaSI për mikrofinancën në Shqipëri, e cila do të mbështesë financimin e mbi 5,000 sipërmarrësve të vegjël në vend. Kreditë e vogla dhe trajnimi i ofruar nga Besa do t’i ofrojnë sipërmarrësve të vegjël mundësi për zhvillimin me sukses të bizneseve të tyre. Firmosja e marrëveshjes gjatë konferencës vjetore të organizuar nga Qendra e Mikrofinancës në Tiranë i bën me dije tregut të mikrofinancës, rezultatet konkrete të asaj që programi EaSI synon të ofrojë në të gjithë kontinentin.”

Prof. Assoc. Dr. Bajram Muçaj – Drejtori Ekzekutiv i Fondit Besa sh.a. tha: Kontributi në forcimin e sektorit të SME-ve në Shqipëri është prioritet i Fondi Besa dhe ne jemi shumë të lumtur për të bashkëpunuar me Fondin Evropian të Investimeve për të zgjeruar aksesin për kredi në sektorin e agrobiznesit dhe sipërmarrësit e rinj. Ne besojmë se mbështetja e EIF-së do të jetë një vlerë e shtuar për aktivitetin tonë, duke pasur një ndikim shumë pozitiv në jetën social-ekonomike të klientëve tanë dhe të vendit.

Sipërmarrjet e vogla që dëshirojnë një mikro-kredi sipas programit EaSI në Shqipëri mund të aplikojnë drejtpërdrejtë nëpërmjet degëve të Fondit Besa. EIF nuk do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për sipërmarrjet, por do të implementojë projektin përmes ndërmjetësve lokalë financiarë, të tilla si institucionet mikrofinanciare, financiare sociale dhe të garancisë, si dhe bankat aktive në të gjithë BE-në – 28 shtetet dhe shtete të tjera që po marrin pjesë në programin EaSI. Këta ndërmjetës do të merren drejtpërdrejt me palët e interesuara për të siguruar mbështetje nën Garancinë EaSI.

Rreth Programit për Punësim dhe Inovacion Social

Programi i BE-së, Skemë Garancie për Punësim dhe Inovacion Social u lançua në qershor të vitit 2015 dhe është i financuar nga Komisioni Evropian dhe menaxhohet nga Fondi Evropian për Investime. Sipas EaSI-së, Komisioni Evropian mbështet mikrofinancën dhe financimin e sipërmarrjeve sociale me një buxhet prej 193 milionë Euro për periudhën 2014-2020. Qëllimi i këtij projekti është rritja e aksesit në mikrofinancë për grupet në nevojë të cilët dëshirojnë të ngrenë ose të zhvillojnë biznesin e tyre dhe sipërmarrjet e vogla, përmes kredive deri në 25,000 Euro. Përveç kësaj, për herë të parë, Komisioni Evropian mbështet sipërmarrjet sociale nëpërmjet kredive deri në 500,000 Euro. Mbështetja mikrofinanciare dhe e sipërmarrjeve sociale aktualisht është duke u zbatuar përmes Garancisë EaSI, e cila u mundëson ndërmjetësve financiarë t’u ofrojnë akses financiar sipërmarrësve të vegjël të cilët normalisht nuk kanë akses financiar për shkak të riskut të lartë. Komisioni Evropian ka përzgjedhur FEI-n për zbatimin e Garancisë EaSI.

 

Rreth Fondit Evropian për Investime

Fondi Evropian për Investime (FEI) është pjesë e grupit të Bankës Europiane të Investimeve. Misioni i tij kryesor është të mbështesë bizneset mikro, të vogla dhe të mesme (SME-të) në Evropë duke krijuar mundësi financimi për to. FEI projekton dhe zhvillon sipërmarrjet dhe rritjen e kapitalit të tyre, garancitë dhe instrumentet mikrofinanciare, të cilat në mënyrë specifike synojnë këtë segment të tregut. Në këtë rol, FEI nxit objektivat e BE-së në mbështetje të inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit, sipërmarrjen dhe rritjen e punësimit.

Për informacion të mëtejshëm mbi mikrofinancën në BE dhe mbështetjen e sipërmarrjes sociale ju lutem referojuni:

EaSI Programme

EU support to social entrepreneurship

Rreth Fondit BESA

Themeluar në vitin 1994, Fondi Besa sh.a. është një institucion mikrofinanciar jo-bankar, lider në Shqipëri. Misioni i Fondit Besa është të ndihmojë rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë në zonat urbane dhe gjysmë-urbane të Shqipërisë duke promovuar sektorin e sipwrmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme përmes krijimit të një fondi privat mikro-financiar në Shqipëri, i cili është i vetë-qëndrueshëm. Klientët e Fondit vijnë nga të gjitha shtresat social-ekonomike, përfshirë të papunët si dhe bizneset start-up. Fondi BESA ofron një gamë të gjerë produktesh kredie, përfshirë kreditë konsumatore dhe hipotekare. Fondi Besa synon ofrimin e produkteve dhe shërbimeve financiare, të cilat plotësojnë dhe tejkalojnë pritshmëritë e konsumatorëve të tij, duke kërkuar që të jetë zgjedhja e parë e tyre në segmentin e NMV-ve në Shqipëri dhe më i besueshmi për tregun e tij.

Klikoni për të parë më shumë