Njoftim për shtyp: Bukë, Kripë e Zemër. Ushqimi, Tradita dhe Kultura: procese të bashkë-zhvillimit në zonat e margjinalizuara në veri dhe në jug të Shqipërisë
KONFERENCA PERMBYLLESE E PROJEKTIT
“Bukë, Kripë e Zemër – Ushqimi, Tradita dhe Kultura: procese të bashkë-zhvillimit në zonat e margjinalizuara në veri dhe në jug të Shqipërisë”
Më datë 30 Maj 2017, në Tiranë u mbajt konferenca përmbyllëse e projektit “Bukë, Kripë e Zemër – Ushqimi, Tradita dhe Kultura: procese të bashkë-zhvillimit në zonat e margjinalizuara në veri dhe në jug të Shqipërisë” me anë të vlerësimit të njohurive dhe prodhimeve tradicionale bio-mesdhetare”, i bashkë-financuar nga AICS-MAECI (Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim), i zbatuar nga OJQ-të VIS Albania e Cesvi Albania, në partneritet me Bashkinë Malësi e Madhe dhe Bashkinë Përmet, në bashkëpunim me Fondin BESA sh.a dhe Fondacionin PfD.
Në konferencë ishin të pranishëm edhe SH.T. Alberto Cutillo – Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Z. Nino Merola – Titullar i selisë së AICS në Tiranë, Z. Ardit Çollaku – Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Z. Paolo Dieci – President i CISP dhe lehtësues në procesin e vetëvlerësimit të projektit, Znj. Valbona Ndoj – Përgjegjëse e projekteve në Shqipëri nga zyra qendrore e VIS Roma, Prof. Ass. Dr. Bajram Mucaj – Drejtor Ekzekutiv i Fondit BESA, dhe Kryetarët e Bashkive Përmet, Këlcyrë dhe Malësi e Madhe, etj.
Në konferencë u paraqiten rezultatet e arritura gjatë zbatimit të projektit, praktikat e mira dhe vlerat e shtuara, në favor të zhvillimit të komuniteteve në rrethin e Malësisë së Madhe dhe të Përmetit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Prof. Ass. Dr. Bajram MUÇAJ theksoi se një komponent i rëndësishëm i këtij projekti ishte edhe mikrokredia. Mikrokredia në Zonat Rurale ishte modeli që inicioi bashkëpunimin midis Fondit BESA dhe VIS-Albania në projektin e parë në vitin 2009“Veriu i Shqipërisë: Projekt i Zhvillimit Rural të Integruar në Komunat e Kelmendit dhe Shkrelit, Rrethi i Malësisë së Madhe”, i cili ndërtoi themelet dhe strategjinë e një bashkëpunimi të suksesshëm ndërmjet Fondit BESA sh.a., VIS Albania dhe CESVI dhe vazhdoi më tej me projektin që u përmbyll “Bukë, Kripë e Zemër – Ushqimi, Tradita dhe Kultura: procese të bashkë-zhvillimit në zonat e margjinalizuara në veri dhe në jug të Shqipërisë”
Konkretisht,përmes këtyre projekteve Fondi Besa ka disbursuar:
Projekti I: “Veriu i Shqipërisë: Projekt i Zhvillimit Rural të Integruar në Komunat e Kelmendit dhe Shkrelit, Rrethi i Malësisë së Madhe” janë disbursuar 323 kredi me shumë 729,000 Euro;
Projekti II: AID 010170 “Bukë, Kripë e Zemër – Ushqimi, Tradita dhe Kultura”: Procese të Bashkëzhvillimit të Zonave të Margjinalizuara të Veriut dhe Jugut të Shqipërisëderi në fund të muajit Prill 2017 janë disbursuar 589 kredi me shumë 1,206,000 Euro.
Pra, në kuadër të këtyre dy projekteve, si rezultat i bashkëfinancimit ndërmjet Kooperacionit Italian dhe Fondit BESA janë financuar në total 912 kredi me shumë rreth 2 milion Euro, kryesisht në zonën e Shkodrës, Malësisë së Madhe, Pukës dhe Përmetit.
Vetëm përmes një krahasimi të thjeshtë evidentohet ndikimi dhe efekti multiplikator i këtij investimi.Konkretisht, financimi përmes të dy projekteve në total ishte 1.15 milionë Euro, ndërsa aktualisht me të dhënat e fundit të muajit Maj janë disbursuar në total rreth 2 milionë Euro. Kjo është realizuar përmes një përdorimi efikas të kthimeve të kredive dhe përdorimi i këtyre fondeve për kreditimin e klientëve të tjerë.
Përgjatë viteve të implementimit të këtyre projekteve, Fondi Besa vëren se ka një rritje të kërkesës për kredi dhe përsëritje të klientelës, e cila ka ndikuar në zhvillimin e drejtpërdrejtë të bizneseve apo aktiviteteve bujqësore të këtyre klientëve dhe për rrjedhojë edhe në përmirësimin ekonomike dhe social të familjeve të klientëve të kredituar në këto zona.
Bashkëfinancimi i fondeve të disponueshme për kreditim ka rezultuar një skemë shumë e suksesshme. Fondi BESA ka arritur të ofrojë kredi në ato zona në të cilat nuk operon asnjë institucion tjetër financiar apo bankar, për shkak të riskut që ato paraqesin. Impakti i këtyre projekteve ka qenë kompleks, jo vetëm në fuqizimin ekonomik dhe zhvillimin e aktiviteteve të klientëve, por gjithashtu në edukimin financiar dhe përfshirjen e tyre sociale, rritjen e cilësisë së jetës së këtyre banorëve, arsimimin e fëmijëve, etj.
Fondi Besa është i ndërgjegjshëm se ekziston nevoja për produkte financiare edhe në zona të tjera. Niveli i papunësisë është i lartë dhe nevojitet një përpjekje e përbashkët e institucioneve financiare dhe jo vetëm, të drejtojnë vëmendjen edhe ndaj këtij segmenti të popullsisë. Tashmë, mikrofinanca në Shqipëri është një mjet i rëndësishëm për të mbështetur krijimin e bizneseve të reja. Institucionet e mikrofinancës dhe prezenca e tyre në tregun financiar duhet të vlerësohet dhe të mbështetet.
Ky model bashkëpunimi përmes projekteve në fushën e mikrokredisë në zonat rurale përfaqëson një model suksesi që duhet të zhvillohet në të ardhmen si përmes mikrokredisë ashtu edhe mundësive të tjera si skema të garancisë.